“ADN-ja e korbave” – Roman nga Mehmet Elezi

 Mbi romanin e Mehmet Elezit « ADN-ja e korbave » Botues « Gjergj Fishta » Tiranë 2009
Thotë diku shkrimtari Mehmet Elezi : « Njerzit e letrave e të artit tërhiqen nga bukuria, se bukuria zgjon krijuesin tek ata. Mendoj se po aq shumë këta njerëz i josh drama. » (M.Elezi Gjuha Shqipe me një Mushkëri fq.8). Romani i fundit, i Mehmet Elezit « ADN-ja e Korbave » botim i Entit Botues Gjergj Fishat sjell në mënyrë të përqëndrueme në 90 faqe marramendëse bukurine dhe dramën e saj. Kaq përputhtazi rrin drama me bukurinë në këtë libër sa që lexuesit i bahet nganjëherë me pyet: A thue drama e bukuria janë shkak e pasojë, janë ndërlidhje dialektike e pashkapshme ?

“Ku je?”, roman nga Flutura Açka

Mbi romanin « Ku je? », të shkrimtares Flutura Açka, botoi « Toena », Tiranë 2009

« Ku je? » është titulli i romanit të Flutura Açkës. Kjo pyetje-titull është një kurth stilistik i gjetur me kujdes, pasi duket sikur i drejtohet vetë lexuesit, pyetje që e shoqëron atë deri në fund të librit. Ku je ti, kur ndodhin këto gjëra, ku je ti kur jetët njerëzore, reduktohen në pluhur e në hi ? Lexuesi i kualifikuar e ndërveprues e ndjen peshën e këtyre pyetjeve. Titulli ka edhe një notë revolte, dhe një klithmë vaji, kujé për atë që ndodh, për pafuqinë për ta penguar. Fabula e romanit, rreth së cilës sillen pastaj dhjetëra subjekte e personazhe, (sa për dhjetë romane) është jeta, sëmundja, dashuria dhe vdekja e një vajze të re. Pra asgjë e jashtëzakonshme, veç befasia e këndshme fshihet tek fuqia epike e përshkrimit, tek shkathtësia e ruajtjes së linjës dhe gdhendjes së personazheve, në fund të fundit tek shpirtëzimi në tekst letrar i një periudhe shumë të zymtë të jetës së njeriut shqiptar. Pa dashur të ritregoj të përmbledhur subjektin e librit më duhet të theksoj se brenda tij kapërthehet e gjithë shoqëria shqiptare, krejt struktura e saj duke nisur nga grimcëzat e pluhurit që mbartin akoma shkëndijime të platinta shpirtërore të viktimave  e deri në majë, atje ku projektohet thertorja, duke kaluar rreth pas rrethi, nga errësira në terr e nga terri në ferr.

“Banketi i Hijeve” dhe hija e rëndë e shkrimtarit Zija Çela

“Banketi i hijeve”, roman nga Zija Çela, “Dukagjini” Pejë 1997

Banketi i hijeve është botuar nga Dukagjini në Pejë në vitin 1997. Zija Çela, ndër shkrimtarët më të afirmuar bashkëkohor shqiptar, në këtë roman sjell me plotni si personazh kryesor një të vdekur. Vdekja dhe subjektet e saj kanë përbërë prej në kryherë landë për letërsinë e madhe. Romani ka në qendër të shqetësimit të tij jetën në një lagje të planetit, banorët e së cilës kanë krijuar hierarkinë e tyre zyrtare, zakonore, morale, pasurore. Jetojnë në ankthin e së nesërmes dhe në paqartësinë e së shkuarës së tyre, si kudo. Ajo që shenjon këtë sipërfaqe të dheut, e bën atë të veçantë, është intensiteti i përjetimit të legjendes, të vdekjes, të ikjes dhe kthimit tek rrënjët, por e mbi të gjitha është shpirtëzimi i kompleksit të Edipit.

“Në shtëpi shi”, poezi nga Sabit Gecaj

NË SHTËPI SHI” – poezi nga Sabi Gecaj, boti AIKD, Prishtinë 2006

Sabit Geci nuk shkruan shumë, madje shkruan shumë pak. Pak veç me një cilësi tronditëse. Ai ndoshta e shkruan tekstin e tij poetik për dy-tre vjet, duke ruajtur metaforën e frymëzimit fillestar, si shprehje të fymëzimit hyjnor, por s’ndal së gdhenduri në kërkim të formës së përsosur. Rezultati është befasues. Poezia është e freskët, edhe pse plotësisht e pjekur estetikisht. Ajo përmbledh në vetvete sa emocionin brilant të shkëndijës hyjnore të talentit, po aq urtësinë e mjeshtrit të fjalës dhe përpunimit të palodhshëm formalist. Libri i rradhës, “Në shtëpi shi” (botoi AIKD Prishtine 2006), dmth i dyti, në jetën krjuese mbi 20 vjeçare të poetit rrënon pamëshirë tabelat e klasifikimit të përkohshëm të artistëve, duke kujtuar se poezia e vërtetë nuk ka fort nevojë për ekrane publicitare, për artikuj të paguar. Edhe pas 20 vjet krijimtarie, Geci nuk e ka braktisur shiun që shenjon shejtninë e shkrimit të tij, dëshmi se është i pandikuar nga kthjellimet e përkohshme, nga kthesat e modës, nga nevojat e përditësisë, se është tekst estetikisht i brendshëm, është shkrim i domosdoshëm për të dhe për lexuesit e tij. Hijet e shiut, që në librin e parë hidhen me draujtje mbi fenomene, njerëz, shpirtëra, në librin e dytë marrin trajtë më të plotë më të lagësht, ato hyjnë dhe instalohen në shtëpi, në shpirt, në shpresë, duke shpakur flluskat apo fluturaket shumëngjyrëshe që mashtrojnë njeriun modern.